Haga dhe lufta çlirimtare: Shqipëria kërkon transparencë dhe respekt për të drejtën ndërkombëtare
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar lidhur me zhvillimet e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria paraqiti propozimin e dënimeve ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në reagimin e saj, ministrja shprehet se Shqipëria po i ndjek me shqetësim të thellë këto zhvillime, duke theksuar se kohëzgjatja e paraburgimit – tashmë mbi pesë vjet pa një vendim përfundimtar – si dhe natyra e akuzave të ngritura, ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin e masave, respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor dhe të drejtave themelore të njeriut.
Sipas saj, kjo situatë ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme në trajtimin e kësaj çështjeje, veçanërisht kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb.
Ajo thekson se edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës mbeten të patrajtuara dhe pa përgjegjësi të plotë penale.
“Një pabarazi e tillë në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë perceptimin e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare”, thekson ministrja Spiropali.
Në reagim nënvizohet se Shqipëria beson fuqishëm se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, pa krijuar perceptimin e trajtimeve selektive ndaj palëve të përfshira në konflikt.
Drejtësia që perceptohet si e njëanshme, theksohet më tej, rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të hapë plagë të reja në një rajon që ka nevojë për pajtim të qëndrueshëm.
Ministrja Spiropali rikujton se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje çlirimtare, e cila gëzoi mbështetjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare në përballjen me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara gjerësisht ndaj popullsisë civile.
Në këtë kuadër, çdo proces gjyqësor që trajton individë të asaj lufte duhet të ruajë me kujdes dallimin thelbësor midis përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri.
Ajo thekson se Gjykata ka sot një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që procesi gjyqësor të mos lejojë që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të cenojnë padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri.
“Vetëm një vendim i drejtë, i bazuar në prova dhe në standardet më të larta të drejtësisë, mund të largojë hijen e rëndë që këto qëndrime kanë hedhur mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë”, thuhet në reagim.
Në përfundim, Shqipëria riafirmon se drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin, dhe jo për të krijuar narrativa që rishkruajnë historinë apo relativizojnë përgjegjësitë e njohura ndërkombëtarisht për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ministrja thekson rëndësinë që procedurat të përmbyllen brenda një afati të arsyeshëm dhe me respekt të plotë për standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë.
